Prindi ose kujdestari i personit, së bashku me personin me aftësi ndryshe paraqiten në Qendrën Shëndetësore të njësisë ku banojnë për të kryer vizitë tek pediatri. Siç për të gjitha takimet mjekësore, pacienti duhet të jetë i shoqëruar me kartë shëndeti me vete. Pediatri u lëshon rekomandim për konsultë pranë Qendrës së Zhvillimit Mendor.

Qendrën e Këshillimit Mendor, prindi ose kujdestari i fëmijës së bashku me fëmijën kryejnë konsultën me mjekun specialist. Mjeku specialist lëshon tre rekomandime për konsulta të specializuara për: Psikolog, Logoped dhe Zhvillim Psikomotor. Ai gjithashtu përcakton spitalin në të cilin do të bëhen konsultat.

Pasi zhvillohen konsultat e rekomanduara në spital, prindi ose kujdestari pajiset me vlerësimet përkatëse në formën e raporteve. Raportet dorëzohen tek Qendra e Zhvillimit Mendor. Në të njëjtën kohë, përcaktohet data e ngritjes së komisionit i cili do të kryejë vlerësimin dhe do të japë diagnozën paraprake.

Pas përcaktimit të diagnozës, prindi ose kujdestari pajiset me një fletë drejtimi për në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), si dhe me një rekomandim për mjekun psikiatër i cili do të kryejë vlerësimin përfundimtar. Mjeku psikiatër kryen vlerësimin dhe jep diagnozën përfundimtare.

Personi bashkë me prindin ose kujdestarin paraqiten pranë KMCAP në datën dhe orën e përcaktuar në fletën e drejtimit. Në rastet kur individi e ka të pamundur të paraqitet për shkaqe të arsyeshme si ato shëndetësore apo fatkeqësi, data e intervistës shtyhet për në afatin më të afërt të mundshëm por jo më shumë se 30 ditë, nga dita kur është provuar shkaku i mosparaqitjes. KMCAP përcakton diagnozën paraprake. Ai lëshon rekomandimin për KEMP si dhe rekomandimin për mjekun psikiatër të spitalit numër 5, Tiranë, i cili kryen vlerësimin përfundimtar dhe lëshon rekomandimin e tij.

Prindi ose kujdestari paraqitet tek noteri dhe njëson dokumentat me origjinalin:

  1. Deklaratë me shkrim nga prindi i cili aprovon këto proçedura;
  2. Rekomandimi për KEMP i lëshuar nga KMACP;
  3. Rekomandimi i psikiatrit;
  4. Certifikatë personale e personit me aftësi ndryshe.

Prindi dorëzon të gjithë dokumentat e noterizuara në Zyrën e Shërbimit Social. Kjo Zyrë përcakton shkallën e invaliditetit dhe sipas rastit nxjerr 2 lloje vërtetimesh për KEMP:

  1. KEMP pa person shoqërues
  2. KEMP me person shoqërues.

Personi njoftohet me shkrim mbi vendimin e Zyrës së Shërbimit Social, procedurat dhe afatet e ankimimit. Në rastet kur KMCAP dëshmon aftësinë ndryshe, personi pajiset me certifikatën e aftësisë ndryshe, e cila përmban të dhëna mbi vlerësimin bio-psiko-social, përfitimet, rekomandime për shërbime, kohëzgjatjen, etj.

*Për informacion plotësues luteni të vizitoni ADISA – persona me aftësi ndryshe ose kontaktoni Qendrën e Informimit për Shërbimet Publike – ADISA, në numrin e telefonit pa pagesë 0800 0118, nga e hëna në të premte, gjatë orëve 08:00 – 19:00.