Nëse kërkuesi i informacionit gjykon se i është cënuar e drejta e informimit, ai mund të ankohet tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Komisioneri). Ankimi administrativ pranë Komisionerit bëhet brenda 30 ditëve të punës, që nga kur:

  1. ankuesit i është njoftuar me shkrim refuzimi i dhënies së informacionit nga autoriteti publik;
  2. kanë kaluar afatet ligjore për dhënien e informacionit.

Formati i rekomanduar i ankimit është i shkarkueshëm elektronikisht. Ai mund t’i dërgohet Komisionierit në rrugë elektronike, postare ose dorazi. Kostoja e dërgesës postare mbulohet nga ankuesi.

Komisioneri ka një afat prej 15 ditësh pune për të kthyer përgjigje. Numërimi i ditëve fillon që nga data e pranimit të ankimit. Nëse Komisionieri nuk merr vendim brenda afatit ligjor, ankuesi mund t’i drejtohet Gjykatës Administrative kompetente. Gjithashtu, nëse pala e ankuar apo autoriteti publik ose funksionarë të tij nuk janë dakord me vendimin e Komisionerit, ata mund t’i drejtohen Gjykatës Administrative.