Taksat janë pagesa të detyrueshme dhe të pakthyeshme që paguhen nga çdo person në territorin e Republikën së Shqipërisë, i cili ushtron një të drejtë publike apo merr një shërbim publik. Tarifat janë pagesa nga çdo individ, person fizik ose juridik, kundrejt një shërbimi specifik, një të mire publike apo një të drejte të dhënë. Ndryshimi mes taksave dhe tarifave është se taksat janë të llogaritura për t’i shërbyer Buxhetit të Shtetit, ndërsa tarifa është e lidhur drejtpërdrejt me shërbimin apo përfitimin e paguar dhe pasi merret, nuk shkrihet me të ardhurat e tjera të shtetit, por përdoret për të plotësuar shërbimin.

Në varësi të shtrirjes, taksat dhe tarifat ndahen në kombëtare dhe vendore. Taksat vendore përfshijnë taksën e ndërtesës, mbi truallin, mbi tokën bujqësore, etj. Tarifat vendore janë tarifa e pastrimit, tarifa e ndriçimit, tarifa e gjelbërimit, etj.

Informacioni i paraqitur është i përgjithshëm dhe ka qëllim informues dhe udhëzues. Ai nuk mund të përdoret si informacion zyrtar. Niveli i taksës apo tarifës, numri i kësteve të pagimit të saj, mënyra e mbledhjes, përjashtimet dhe lehtësirat për çdo taksë dhe tarifë vendosen nga Këshilli Bashkiak i çdo bashkie.

Taksa e ndërtesës

Kjo taksë paguhet nga qytetarët që janë pronarë ose përdorues të pasurive të paluajtshme brenda territorit të bashkisë. Kjo taksë, si detyrim vjetor, paguhet në 12 këste me shumë të barabartë, për çdo muaj dhe nga çdo familje. Baza e saj është sipërfaqja e ndërtimit në m2 e ndërtesës, mbi dhe nën nivelin e tokës, për çdo kat. Sipërfaqja është e përcaktuar në dokumentet e vërtetimit të pronësisë. Taksa paguhet nëpërmjet faturës së konsumit të ujit dhe likuidohet në të njëjtën kohë me të.

Taksa mbi tokën bujqësore

Kjo taksë paguhet nga qytetarët që kanë në pronësi toka bujqësore brenda territorit të bashkisë. Baza e saj është sipërfaqja e tokës bujqësore në hektar. Sipërfaqja është e përcaktuar sipas dokumenteve të vërtetimit të pronësisë. Në raste kur ka mungesë dokumentacioni, verifikimi kryhet nga komisioni i verifikimit të pasurive të paluajtshme. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar, sipas kategorive të tokës bujqësore, të vendosura nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë. Këto struktura ndryshojnë në varësi të miratimit të  bashkisë. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme.

Taksa mbi truallin

Kjo taksë paguhet nga qytetarët që kanë në pronësi truall brenda territorit të bashkisë. Baza e saj është sipërfaqja e truallit në m2. Sipërfaqja përcaktohet sipas dokumentit vërtetues. Në raste kur ka mungesë dokumentacioni, përdoruesi/pronari i truallit bën një vetëdeklarim. Niveli i taksës caktohet në lekë për m2 në vit. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme.

Taksa e përkohshme mbi infrastrukturën arsimore, Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave, Tarifa e ndriçimit, Tarifa e gjelbërimit

Këto taksa/tarifa paguhen nga të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj që banojnë brenda territorit të bashkisë. Detyrimi i taksës/tarifës, i cili vendoset nga bashkia, paguhet në 12 këste me shumë të barabartë, për çdo muaj. Këto taksa/tarifa paguhen nëpërmjet faturës së konsumit të ujit dhe likuidohen në të njëjtën kohë me të.