Dosja e përfitimit të pagesës së KEMP-së nga personat me aftësi ndryshe dorëzohet në Zyrën e Shërbimit Social Shtetëror.

Prindi apo kujdestari i personit të dalë në KMCAP duhet të paraqesë këto dokumente:

  • certifikatën e gjendjes familjare;
  • certifikatën personale me fotografi;
  • fletë drejtimin për KMCAP në rastet kur personi komisionohet për herë të parë;
  • epikrizën përcjellëse, çdo herë që rikomisionohet.

Kur personi me aftësi ndryshe përcaktohet me vendim të komisionit mjekësor se ka nevojë për përkujdesje, kujdestari duhet të mundësojnë këto dokumente shtesë:

  • certifikatë personale me fotografi e personit kujdestar;
  • deklaratë/vendim gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuar;
  • raport mjekoligjor që vërteton se kujdestari është i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Raporti nxirret pas vizitave në tri specializime:

  • mjeku psikiatër;
  • mjeku okulist;
  • mjeku otorinolaringolog.

Personat me aftësi ndryshe të cilët ndjekin shkollën e mesme apo të lartë, me apo pa shkëputje nga puna, duhet të mundësojnë këto dokumente shtesë, përveç dokumentacionit të përcaktuar më sipër:

  • Vërtetim nga titullari dhe sekretari i shkollës ku të shënohen:
    • emri i personit që ndjek shkollën;
    • lloji i arsimit të ndjekur ku përcaktohet nëse është cikël shkollor normal apo i përsëritur;
    • viti shkollor.
  • Vërtetim i nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga personi përfitues (çdo tre muaj);
  • Vërtetim që dëshmon se janë shlyer detyrimet për çdo sezon, për shkollën e lartë, pa shkëputje nga puna;
  • Kopje e noterizuar e dëftesës shkollore të çdo viti dhe kopje e noterizuar e diplomës në mbarim të shkollës së mesme ose të lartë, si dhe kopje të dëshmive të kurseve të kualifikimit.

I gjithë dokumentacioni duhet të njësohet me origjinalin në zyrën e një noteri. Prindi ose kujdestari e dorëzon dokumentacionin e noterizuar në Zyrën e Shërbimit Social pranë bashkisë/ njësisë bashkiake në të cilën jeton.

Zyra e Shërbimit Social Shtetëror përcakton shkallën e invaliditetit dhe në varësi të rastit lëshon një nga dy llojet e vërtetimeve për KEMP:

  • KEMP pa person shoqërues;
  • KEMP me person shoqërues.

Zyra e Shërbimit Social Shtetëror i njofton kujdestarit vendimin e saj. Ajo jep udhëzime për hapjen e llogarisë bankare në të cilën do të derdhet pagesa mujore. Personat të cilët komisionohen për herë të parë, e përfitojnë pagesën dy muaj pas marrjes së vendimit në komision.

*Për informacion plotësues luteni të vizitoni ADISA – persona me aftësi ndryshe ose kontaktoni Qendrën e Informimit për Shërbimet Publike – ADISA, në numrin e telefonit pa pagesë 0800 0118, nga e hëna në të premte, gjatë orëve 08:00 – 19:00.