Martesa mund të lidhet ndërmjet një burri dhe një gruaje që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Të dy bashkëshortëve të ardhshëm do t’u duhet fillimisht të shpallin martesën e tyre në zyrat e gjendjes civile që përkojnë me vendbanimin e tyre. Kërkesa për shpallje bëhet nga bashkëshortët e ardhshëm, ose nga personi i caktuar nga ata me prokurë të posaçme. Gjatë shpalljes së martesës pranë zyrave të gjendjes civile, të dy bashkëshortët e ardhshëm duhet të përcaktojnë se në cilën prej zyrave civile do të lidhet martesa.

Dokumentet e nevojshme për shpalljen e martesës janë:

  1. Certifikatë lindjeje e të dy personave, që të ketë shënimin “për shpallje martese” (merret gjatë takimit të shpalljes dhe ka afat 15 ditë nga momenti i lëshimit);
  2. Fotokopje të dokumentit të identifikimit.

Shpallja e martesës është e vlefshme për periudhën e një viti. Bashkëshortët e ardhshëm pajisen me certifikatën për lidhjen e martesës e cila ka afat vlefshmërie 15 ditë nga momenti i lëshimit.

Pasi të kalojnë të paktën 10 ditë nga e nesërmja e shpalljes, lidhja e martesës bëhet e mundur. Bashkëshortët e ardhshëm duhet të paraqiten tek zyra e gjendjes civile që është paracaktuar në momentin e shpalljes së martesës. Ata duhet të jenë të pajisur me certifikatë për lidhje martese dhe të jenë të shoqëruar së bashku nga të paktën dy dëshmitarë me të cilët nuk kanë lidhje gjaku.

Taksa për mbajtjen e aktit të lidhjes së martesës kushton 1000 lekë.

*Për informacion plotësues luteni të vizitoni ADISA – martesa ose kontaktoni Qendrën e Informimit për Shërbimet Publike – ADISA, në numrin e telefonit pa pagesë 0800 0118, nga e hëna në të premte, gjatë orëve 08:00 – 19:00.