Çdo nëpunës civil ka të drejtën të kryejë lëvizje paralele brenda institucionit ku punon ose në një institucion tjetër. Për lëvizje paralele mund të aplikojë çdo nëpunës civil që i përket të njëjtës kategori për të cilën ai po aplikon, që plotëson kushtet për lëvizjen paralele dhe përmbush kërkesat e posaçme për vendin vakant të punës.

Për lëvizjet paralele brenda kategorisë ekzekutive, dokumentet duhet të dorëzohen online dhe dorazi pranë institucionit që ofron vendin e punës. Ndërsa, për kategorinë e mesme dhe të ulët, dokumentet duhet të përçohen vetëm online.

Kushtet që duhen plotësuar për të aplikuar për lëvizje paralele janë:

  1. Kandidati duhet të jetë nëpunës civil i konfirmuar brenda të njëjtës kategori për të cilën po aplikon.
  2. Kandidati nuk duhet të ketë masë disiplinore në fuqi.
  3. Vlerësimi i fundit i kandidatit duhet të jetë “mirë” ose “shumë mirë”.
  4. Kandidati duhet të plotësojë kriteret e veçanta që janë shpalosur në shpalljen ku po aplikon.

Për sa i përket procedurës së aplikimit, kandidati duhet të ndjekë hapat si më poshtë:

  1. Kandidati duhet të ngarkojë online dokumentet e kërkuara në shpallje dhe sipas rastit t’i dorëzojë ato në institucionin përkatës (shih kushtin nr. 1).
  2. Në rastin kur kushtet dhe kërkesat e posaçme janë të plotësuara, kandidati ftohet për të kryer një intervistë me gojë. Detajet e intervistës dërgohen tek kandidati përmes një e-maili nga DAP. Për sa i përket procesit të përgatitjes për provimin me gojë, kandidati duhet të fokusohet tek fusha e njohurive, aftësive dhe cilësive që janë të përcaktuara në thirrje. Komisioni i intervistës përbëhet nga një përfaqësues i institucionit që zotëron vendin vakant të punës, eprori direkt i kandidatit dhe një përfaqësues nga DAP.

Kandidatët do të vlerësohen në bazën e një sistemi prej 100 pikësh ku 40% e pikëve totale përcaktohen nga vlerësimi i dokumentacionit dhe 60% e pikëve totale përcaktohen në bazë të intervistës. Kandidatëve u nevojiten 70 pikë në total për të qenë fitues. Në rastet kur dy ose më shumë kandidatë aplikojnë për të njëjtin vend pune, kandidati që ka fituar më shumë pikë është ai që fiton pozicionin.

Për informacion plotësues luteni të vizitoni video-tutorialin mbi ‘Lëvizja paralele’ që gjendet në faqen www.dap.gov.al.