Qytetarët të cilët dëshirojnë të punojnë në administratën publike kanë mundësi të aplikojnë për një vend pune përmes portalit të Departamentit të Administratës Publike. Pasi të kenë përmbushur procesin e aplikimit www.dap.gov.al, ikona “Rregjistrohu/Profil”qytetarët informohen nëse kanë fituar të drejtën për të konkurruar në fazat e mëtejshme që konsistojnë në testime dhe intervista. Për t’u kualifikuar, kandidatët duhet të plotësojnë disa kërkesa që bazohen ne fushën e studimit, nivelin e diplomës dhe sipas rastit, në përvojën personale të aplikuesit.

1 – Departamenti i Administratës Publike shqyrton dokumentet e ngarkuara nga aplikuesi në profilin vetjak dhe vlerëson mes të tjerash edukimin, eksperiencën e punës si dhe trajnimet e ndjekura nga aplikuesi. Cilësia e jetëshkrimit (CV) të aplikuesit vlerësohet në një sistem prej 15 pikësh.  Ngarkimi i dokumenteve bëhet online, ndaj nuk është nevoja që të bëhen dorëzime në institucione.

2 – Pas shqyrtimit të dokumenteve, kandidatët thirren për të zhvilluar një testim me shkrim në bazë të fushës së njohurive që është përcaktuar në shpallje. Rezultatet e testimit me shkrim vlerësohen në bazën e një sistemi prej 60 pikësh. Nëse kandidati arrin kuotën e 30 pikëve nga 60 të mundshme, ai/ajo kualifikohet automatikisht për intervistën me gojë.

3 – Intervista me gojë vlerësohet në bazë të një sistemi me 25 pikë. Në përgatitjen për intervistën me gojë, kandidatët duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre tek fushat e njohurive, aftësitë dhe cilësitë e përcaktuara në thirrje.

Intervista dhe dosja e kandidatit do të vlerësohen nga një komision i përbërë prej 5 anëtarësh. Në komision bëjnë pjesë dy përfaqësues të institucionit, dy pedagogë të fushës dhe një përfaqësues nga Departamenti i Administratës Publike.

Për të qenë fitues nevojiten mbi 70 pikë në total. Ndarja totale e pikëve është si më tej: Dokumentacioni 15%, intervista 25% dhe testimi 60%. Ndër kandidatët fitues, kandidatët me më shumë pikë se kandidati pasardhës, kanë mundësinë të zgjedhin të parët pozicionin e punës në të cilin kërkojnë të punësohen.

Për informacion plotësues luteni të vizitoni video-tutorialin mbi ‘Pranimin në Shërbimin Civil’ që gjendet në faqen www.dap.gov.al.