Secili qytetar i Republikës së Shqipërisë ka të drejtë të njihet me informacionin publik që prodhohet dhe mbahet nga autoritetet publike. E drejta për të kërkuar informacion zyrtar në institucionet shtetërore zbatohet sipas ligjit 119/ 2014 “Për të drejtën e informimit”.

Kërkesa për informacion bëhet pa pagesë dhe pranohet vetëm në formë të shkruar. Për t’i ardhur në ndihmë qytetarit dhe punonjësit të administratës, është hartuar një format kërkese universal. Ky format mund të përdoret tek të gjitha institucionet publike. Ai mund të shkarkohet lirisht si informacion publik edhe në portalet e institucioneve, në seksionin “Programi i transparencës”.

Kërkesa për informacion duhet të përmbajë të dhënat e emrit, adresës postare dhe elektronike, numrin e telefonit, datën e dërgesës së kërkesës dhe nënshkrimin e kërkuesit. Përshkrimi i informacionit të kërkuar duhet të jetë sa më i qartë, i fokusuar dhe i detajshëm që të shmangë keqkuptimin e kërkesës. Kërkuesi nuk është i detyruar të parashtrojë arsyet e pajisjes me informacionin e kërkuar. Por ai duhet të përcaktojë formën në të cilën pret përgjigje. Kjo formë mund të jetë me përgjigje elektronike, ose me përgjigje në letër.  Edhe pse ligji nuk e përmban, disa institucione kërkojnë që kërkesa për informim të jetë e shoqëruar me dokumentin e skanuar të letërnjoftimit të kërkuesit.

Kërkesa për informacion mund të dërgohet dorazi, me postë elektronike ose me postë normale. Nëse dërgohet me postë normale, shpenzimet e dërgesës postale mbulohen nga kërkuesi. Për këtë arsye, forma e këshilluar e dërgesës është përmes postës elektronike.

Kerkesa për informacion i adresohet koordinatorit për të drejtën e informimit të autoritetit publik, i cili e mban informacionin. Kontaktet e tij gjenden në rubrikën “Programi i transparencës”, në faqen zyrtare elektronike të institucionit. Në rast se kontaktet e koordinatorit nuk janë të publikuara, mund të kontaktoni institucionin në fjalë për t’i marrë këto të dhëna bazike në vijë telefonike ose fizikisht në mjediset e tyre. Kur gjetja e të dhënave të koordinatorit të të drejtës së informimit është e parealizueshme, kërkesa për informim mund të adresohet në adresën e përgjithshme elektronike të autoritetit publik, në vëmendje të koordinatorit për të drejtën e informimit, ose në adresën postare të autoritetit marrës, sërisht në vëmendje të funksionit të koordinatorit për të drejtën e informimit.